Durrës, 25 prill 2014 – Teuta ka vijuar me intensitet përgatitjet, në kuadër të sfidës së fundjavës ndaj Skënderbeut. Në kampin durrsak, besojnë ende tek arritja e objektivit, sigurimi i një vendi për në Europë. Mesfushori i Teutës Batha theksoi se skuadra duhet të bëjë detyrën e saj në sfidat e mbetura.

“Kundër Skënderbeut kërkohet pa diskutim impenjim maksimal. Kjo pasi këto tri pikë janë shumë të rëndësishme për skuadrën tonë. Situata te ne nuk është ndër më të mirat dhe kjo si pasojë e rezultateve negative të fiksuara në përballjet e fundit. Gjithsesi, jemi ende në valle dhe nuk kemi pse të kërkojmë ‘dritë në fund të tunelit’, ndërkohë që jemi në mes të rrugës. E rëndësishme është të mbledhim forcat dhe të reagojmë menjëherë pas humbjes në Laç. Ndaj Skënderbeut, skuadra do të jetë thuajse e plotë dhe kërkohet vetëm fitore. Nuk duhet të hedhim asnjë hap të gabuar ndaj korçarëve, sepse hedhim të gjitha shpresat në erë”,– u shpreh  mesfushori.

Duke vijuar më tej, Batha u ndal te kundërshtari duke u shprehur se skuadra i ka llogaritë e hapura me Skënderbeun, që pas atij barazimi në sekondat e fundit në përballjen e fazës së dytë.

“Me Skënderbeun kemi llogari të hapura. Nuk e harrojmë kurrë barazimin në sekondat e fundit në përballjen e fazës së dytë. Ishte pikërisht ajo ndeshje që ndryshoi ritmin e ecurisë së skuadrës. Prandaj në njëfarë mënyre ndaj korçarëve duhet të hakmerremi. Sigurisht kemi respekt për Skënderbeun si skuadër, pasi përveçse kampion në fuqi, është gati për t’u rishpallur kampion, por nuk i trembemi kurrsesi. Skuadra do të futet në fushë me bindje të plotë për ta fituar ndeshjen dhe do bëjmë të pamundurën që të dalim me tri pikë nga ky duel”, – përfundoi Batha.

Dy mungesa të sigurta do të ketë Teuta në sfidën ndaj Skënderbeut. Tefik Osmani dhe Arbër Çyrbja thuajse e kanë mbyllur sezonin. Mirëpo, fatmirësisht, do të kthehet Dosti dhe Hodo, të cilët kanë nisur rregullisht stërvitjen me grupin dhe janë të gatshëm për përballjen e fundjavës. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/