Tiranë, 25 prill 2014 – Pas një seance maratonë, e karakterizuar nga akuza, kundërakuza, fyerje dhe tensione, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimin e përbërjes së komisionit për reformën administrative, duke marrë shumicën e anëtarëve. Mazhoranca qeverisëse ka zhbllokuar komisionin në fjalë, duke i hapur rrugë miratimit të reformës territoriale.

Shumica ka shtuar Blerina Gjylametin në përbërjen e komisionit. Në të njëjtën kohë, shumica në pushtet ka shtyrë miratimin e reformës deri në muajin qershor, në pritje të konsensusit të opozitës.

Mazhoranca miratoi edhe ndryshimet në ligjin për ILDKP. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9367, datë 7.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar”, u miratua me  76 vota pro, 7 kundra, 1 abstenim. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9049,datë 10.4.2003  “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive,të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar”, u miratua me 74 pro dhe 18 kundra.

Kuvendi shtyu edhe afatin e komisionit hetimor për emërimet në polici deri në 13 maj. Po, gjatë seancës së djeshme, Kuvendi miratoi me 73 vota pro edhe komisionin hetimor për të zbardhur të vërtetën e përdorimit të bazave të ushtrisë për trafiqet e drogës. Të gjitha vendimet u miratuan vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa u kundërshtuan ashpër nga opozita.

“Komisionin po e krijoni për fustanin e Mimi Kodhelit. Ju që votuat kundër thirrjes së saj në komision u urdhëruat si skllevër të kaloni në komision hetimor parlamentar. Ndërruat qëndrim se dolën dokumentet. Për të mbrojtur zonjën Kodheli krijuat komision hetimor. Nuk do krijohet vetëm për Gjadrin por për drogën në të katër anët e vendit”, tha Berisha.

Pas akuzave të Berishës, ka reaguar Ruçi. “Ju thoni që kanë ndalur avionë në Karavasta, kur në Karavasta ka vetëm një rrugë që të çon në Berat e ku nuk shkon dot as mushka, jo më të ulet avion! Nëse ju vini këtu dhe lexoni letrën e gazetës tënde apo time, edhe ju edhe unë jemi të pabesueshëm; folët edhe për kokën e dhisë, që as nuk ka lidhje me Forcat e Armatosura. Ti je njësh me krimin se vrave 26 vetë! Thonë se Policia e Vlorës nis gomone me drogë 40 mijë euro. Po a nuk është njësoj me atë që the para një jave? Nuk mund të flitet kështu! Të mos ngatërrojmë gjuhën që duhet të përdoret në parlament me zhargonin në mejhane ku mblidhen pijanecë”, tha Ruçi.   

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë përplasur dje në Parlament për pasuritë e zyrtarëve të lartë. Ish-kryeministri Berisha, ka zgjedhur foltoren e Kuvendit, për të akuzuar mazhorancën se me ndryshimin e ligjit për ILDKP, po shkel Kushtetutën duke i marrë presidentit një kompetencë që në mënyrë të qartë ia ka dhënë ligji. Sipas Berishës, arsyeja e këtyre ndryshimeve lidhet me faktin se mazhoranca kërkon të ketë për vete institucionin për të fshehur milionat e eurove që sipas tij i mbajnë nën dyshekë e jastëkë. Deputeti demokrat, theksoi se qeveria e re bën banjo në vaska floriri, ndërsa ka kërcënuar se nëse qeveria heq kompetencat e Nishanit shumë shpejt do të shohë se ku do të përfundojë.

“Doni ta hiqni, hiqeni, po ku do përfundoni, do ta shikoni. Kjo mazhorancë nuk flenë më në pupla, por flenë në para. Doli dje që kanë 60 milionë euro në dyshek e jastiqe. Bëni banjo në vaska floriri. Ja merrni presidentit se ju duhet noteri”, tha ish kryeministri Berisha.   

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/