Itali, 24 prill 2014 – Një 21 vjeçar shqiptar, me precedentë të shumtë penalë, së bashku me një bashkëpunëtor të tij kanë grabitur një sallë lojërash fati në provincën e Traversagna-s, në Pistoia, Itali.
Të armatosur me pistoletë, (që nuk dihet nëse ishte e vërtetë apo jo sepse nuk është gjetur ende), çekiç dhe thikë ata kanë kërcënuar pronarin e njësisë së lojërave të fatit dhe tre klientë që ndodheshin aty t’u jepnin paratë. Të dy grabitësisht kanë qenë të maskuar dhe me doreza në duar. Kur janë larguar nga pika e lojërave të fatit me një automjet, një dëshmitar okular ka shënuar markën dhe targën e mjetit duke ua lehtësuar kështu punën karabinierëve. Këta të fundit kanë mundur të prangosin pas rreth 40 minutash 21 vjeçarin shqiptar D.D., ndërkohë që ende po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
Në automjetin e sekuestruar, të riut shqiptar i janë gjetur një pjesë e parave të grabitura, si dhe disa vegla që sipas policisë mund të jenë përdorur për realizimin e grabitjeve të tjera.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





