Tiranë, 24 prill 2014 – Vajza e ish kryeministrit Sali Berisha, Argita Berisha, duke marrë shkas nga intervista e biznesmenit Zafar Ansar për Top Channel, ka reaguar përmes një deklarate dërguar mediave. Në këtë deklaratë ajo akuzon kryeministrin Edi Rama se ripërtypi gënjeshtrat e artikuluara nga shpifësit e tij të paguar.

Sipas vajzës së ish-kryeministrit Berisha, “kjo është historia e një biznesmeni që kërkon të marrë nga Rama, sot kryeministër, të drejtën për të bërë biznes me Ramën dhe që si biletë hyrëse ofron një intervistë politike”.

“Biznesmenit në fjalë,– vijon më tej Argita Berisha Malltezi, – i është kërkuar të paguajë për punën ligjore me tarifa për orë pune, ose me shumë totale në mbarim të projektit, sipas preferencës së tij dhe kjo jo nga unë, por nga një firmë tjetër ligjore. Të vetmen faturë që i kam çuar personit në fjalë ka qenë ajo për punën e kryer nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme (rreth 8.000 euro), të cilën ai iku pa e paguar”,- vijon Argita Berisha.

Pjesa tjetër e deklaratës është e mbushur me akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për të cilin ajo thotë se, ndryshe nga aktiviteti i saj privat, që ka qenë nën sitën e ILDKP-së, Tatimeve dhe mediave dhe per të cilin ka dhënë llogari publikisht në shumë raste, Rama nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë për veten e tij.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/