Vatikan, 24 prill 2014 – Sipas agjensisë së lajmeve ASCA kryeministri shqiptar Edi Rama pati një audiencë 20 minuëshe me Papa Franceskun, në Bibliotekën private të Papës. Në fund të audiencës u bë shkëmbimi tradicional i dhuratave. Pikërisht në këtë çast kryeministri Rama i kërkoi Papa Franceskut, që t’i bekonte fëmijën ende të pa lindur të çiftit kryeministror. Papa me shumë kënaqësi bekoi barkun e fryrë të bashkëshortes së kryeministrit, për më tepër, që kryeministri shqiptar vjen nga një familje e krishterë e ritit greko-ortodoks, ndërsa e shoqja e ka origjinën nga një familje muslimane shqiptare.
Më pas kryeministri shqiptar pati bisedime me Kardinalin Pietro Paolin, Sekretarin e Shtetit në Vatikan. Në bisedime u theksuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Vatikanit. U diskutuan tema me interes reciprok, si psh. marrëdhëniet midis komunitetit fetar dhe atij civil etj. Papa i dhuroi kryeministrit Rama një ikonë të Shën Martinit duke zhveshur mantelin, ndërsa kryeministri Rama i dhuroi një punim në bakër të hartës së Shqipërisë.
/gje. th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





