24 prill 2014 – Nga fushat e futbollit të Kosovës drejt Sirisë. Ky është destinacioni i ish sulmuesit të Drenicës, Hysni Kabashi, i cili ka zgjedhur rrugën e shumë bashkatdhetarëve të tij, duke zgjedhur një kauzë të pakuptimtë në jetën e tij.

Sipas të përditshmes kosovare “Telegrafi”, kohë më parë ai është larguar nga Skënderaj duke marrë rrugën e Lindjes së Mesme për të luftuar përkrah shqiptarëve të tjerë në Siri kundër regjimit të Bashar Al Asad.

Transformimi i ish sulmuesit nisi kohë më parë ku ndryshoi edhe emrin në Ebu Sufjan. Ai nuk është lojtari i parë që aktivizohet për kauzën sunite pas portugezit Boa Morte dhe turkut Burak Karan.

Hysni Kabashi lindi 23 vjet më parë në fshatin Polac të Komunës së Skenderajt. Në vitin 2009 ai u transferua nga skuadra zinxhir në ekipin e parë të Drenicës.

Sipas ish trajnerit të tij, Tahir Lushtaku, ish sulmuesi e ka predikuar fenë islame që në kohën kur luante si futbollist por gjatë muajve të fundit zgjodhi rrugën e armëve mijëra km larg vendlindjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/