Itali, 24 prill 2014 – Milani është një markë e madhe në vendet aziatike, aq sa Peter Lim, manjati nga Singapori, është i gatshëm të vendosë në pjatë plot 500 milionë euro për të blerë mazhorancën e aksioneve të shoqërisë kuqezi.

Blerja e 70% të Interit nga indoneziani Erick Thohir ka rritur ndjeshëm interesin e manjatëve aziatikë ndaj skuadrave italiane dhe duke ditur edhe problemet ekonomike që po has Milani ata shohin te kuqezinjtë shoqërinë ideale për të investuar paratë e tyre.

Megjithatë për të blerë një pjesë të madhe të aksioneve të Milanit, Peter Lim përveçse duhet të bindë presidentin SIlvio Berlusconi, duhet edhe të mposhtë konkurrencën e njeriut të dytë më të pasur në Kinë, Zong Quinghou, që gjithashtu ka shfaqur interes për të blerë aksionet e Milanit.

Në shtëpinë Berlusconi kjo çështje është kthyer në një aktualitet të ditës, megjithatë presidenti Silvio nuk ka aspak ndërmend të shesë mazhorancën e aksioneve të klubit.

Madje një muaj më parë drejtuesit e shoqërisë milaneze refuzuan ofertën e Peter Lim që kapte shifrën e 300 milionë euro për 51% të aksioneve.

Një ofertë që u refuzua nga vetë Barbara Berlusconi, e cila në atë kohë theksoi se 300 milionë euro, maksimumi mund të mjaftojnë për të blerë 30% të aksioneve të Milanit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/