Durrës, 24 prill 2014 – Durrësi në antikitet cilësohej Taverna e Adriatikut. Sot, Durrësi është shndërruar në pikë referimi për të huajt në Shqipëri.
Një ditë më parë, kryebashkiaku Vangjush Dako nënshkroi me nënkryetaren e bashkisë së Bitontos marrëveshjen e bashkëpunimit që i hap rrugë në të ardhmen binjakëzimit të dy qyteteve. Marrëveshja u nënshkrua të mërkurën në orën 11.30 në qytetin e Bitontos.
Artur Bujari, durrsak rezident në Bitonto dhe Pino Gulielmi, investitor italian në Durrës, qytetar i Bitontos, janë dy personat që dhanë kontribut të veçantë në nënshkrimin e këtij pakti miqësie dhe binjakëzimi.
Në të njëjtën orë, po të mërkurë, por këtë herë në Durrës, zv/ambasadori amerikan Henry V. Jardine, i shoqëruar nga anëtarë të stafit të ambasadës së SHBA-së, ishte në qytetin bregdetar për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Tokës. Në kuadër të kësaj dite, amerikanët iniciuan një tur me biçikletë në disa nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Një nga ndalesat ishte dhe qyteti i Durrësit.
(Shënim / Në foton kryesore momente nga nënshkrimi i marrëveshjes në Bitonto si dhe foto e stafit të ambasadës amerikane me fëmijët durrsakë në kuadër të aktiviteteve për Ditën ndërkombëtare të Tokës)
/gje. th . agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





