Vlorë, 24 prill 2014 – Pas ndarjes nga ish-e fejuara, 23 vjeçari Mario Bejdollari ka vrarë me thikë të atin e saj dhe plagosur të ëmën.
Autori i dyshuar i krimit është futur nga dritarja e banjos në shtëpi në momentin kur dritat ishin të fikura dhe familja kishte rënë në gjumë.
Ai ka qëlluar disa herë me thikë të zotin e shtëpisë Agim Sereseli, i cili nuk ka mundur t’ju shpëtojë plagëve të marra dhe ka plagosur bashkëshorten e tij 43 vjeçare.
“U fut natën në dhomën e gjumit. U zgjova e tmerruar teksa ai po qëllonte me thikë bashkëshortin tim.Ai ishte në gjumë të thellë dhe nuk mundi të reagonte për të shpëtuar.Unë u zgjova menjëherë dhe për të shpëtuar u përlesha me të. Arrita të njoh ish-të fejuarin e vajzës. Më qëlloi disa herë dhe u largua kur në dhomë do të vinin vajzat. Bërtita sa munda, por më pas nuk pata fuqi”, citohet 43 vjeçarja në gazetën “Panorama”.
Banesa e viktimës dhe autorit kanë qenë rreth 400 metra larg njëra-tjetrës, ndërsa dy familjet me origjinë nga Gramshi kishin disa vite që ishin shpërngulur në lagjen “24 Maji” , të Vlorës.
Lidhja e krushqisë ndërmjet familjeve kishte shpeshtuar edhe më shumë hyrje-daljet. Por rreth një vit më parë, vajza e Agim Sereselit kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes disavjeçare me 23-vjeçarin Bejdollari. Ndarja nuk ëhstë përjetuar mirë nga i riu, i cili sipas policisë rezulton të ketë qenë i dehur në momentin që është futur në banesën e ish-të fejuarës së tij dhe ka kryer vrasjen.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





