Tiranë, 23 prill 2014 – Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive ka kallëzuar penalisht gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Gjin Gjoni. Gjoni, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dyshohet se ka fshehur pasurinë në deklarimin e tij. Në kallëzimin e ILDKP-së, Gjoni akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe deklarim të rremë të pasurisë. Njëkohësisht, ILDKP ka ngritur kallëzim penal edhe ndaj bashkëshortes së Gjonit, Elona Çaushi.
Rreth 1.8 milion euro, 53 milionë lekë të reja dhe 180 mijë dollarë është pasuria e padeklaruar e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Shifrat janë publikuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke e renditur gjyqtarin Gjoni në krye të zyrtarëve të lartë me pasurinë më të madhe të padeklaruar e të konstatuar nga ky institucion.
Pas hetimit të inspektorëve të ILDKP-së, gjyqtari Gjin Gjoni, së bashku me bashkëshorten Elona Çaushi janë kallëzuar penalisht nga ky institucion, për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikimit të dokumentave në bashkëpunim, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim dhe korrupsionit, parashikuar nga Kodi Penal.
ILDKP vjen në këtë akuzë pasi ka renditur 18 shkelje të gjyqtarit Gjoni dhe bashkëshortes së tij. Sipas ILDKP-së, shkeljet nisin nga falsifikimi i kontratës së shitjes së një shoqërie në pronësi të tij, nga 300 mijë euro të vlerës reale, e deklaruar prej tij vetëm 70 mijë lekë, vijon me deklarimin e rremë të burimit të krijimit të aseteve të deklaruara për shumën 300 mijë euro, si dhe falsifikim, deklarim i rremë dhe burim jo i ligjshëm i parave, të dhëna me hua nga Gjoni, që kapin shumën prej rreth 299 mije eurosh.
Të njëjtën shkelje ka vënë re ILDKP edhe për dy kontrata të tjera huamarrjeje nga gjyqtari Gjoni. Inspektoriati i bashkangjit këtyre shkeljeve edhe atë të deklarimit të rremë të kontratës së blerjes së vilës rezidenciale në Farkë, në shumën 700 mije euro, fshehje të blerjes së një lokali nga bashkëshortja e tij në 2010, fshehje të një aktiviteti tregtar kozmetik në 2012, ku bashkëshortja e Gjonit rezulton, sipas ILDKP, 100% zotëruese e kapitalit, fshehje të një shoqërie tjetër tregtare, ku sërish Elona Çaushi rezulton me 50% të aksioneve.
ILDKP ka konstatuar gjithashtu edhe disa shkelje ligjore që kanë të bëjnë me falsifikim dokumentash dhe deklarim të rremë te blerjes me kredi të automjetit tip “Benz”, me vlerë 62 mije euro në vitin 2010, dy apartamenteve në Tiranë përkatësisht me vlerë rreth 53 milionë lekë dhe 176 mijë euro, si dhe rreth 250 mijë euro të shpenzuara për 236 udhëtime jashtë vendit.
Krahas kallëzimit penal për gjyqtarin Gjoni dhe bashkëshorten e tij, ILKDP ka bërë kallëzim penal edhe për noteret Margena Çela dhe Gentiana Shkodra, për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë në bashkëpunim të pasurisë, falsifikimit të dokumentave në bashkëpunim, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim dhe korrupsionit.
Një ditë më parë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka zbuluar se zyrtarët e shtetit kanë mbajtur rreth 50 deri 60 milionë euro “cash”, të padepozituara në banka dhe të padeklaruara më parë. Kjo u bë e ditur dje, në Komisionin parlamentar të Ligjeve, nga kryeinspektori Shkëlqim Ganaj, ndërsa po diskutohej ndryshimi i ligjit për ILDKP-në. Sipas ndryshimeve që propozohen, zyrtarët e rinj nuk mund të mbajnë para “cash” më shumë 1.5 milionë lekë. E gjithë pasuria duhet të jetë dokumentuar në bankë.
Ganaj tha se: “Nga një studim paraprak që kemi ne, mendohet që janë 50-60 milionë euro zyrtarësh, që deklarojnë për herë të parë gjendje ‘cash’”. “Është anormale që të thotë se në shtëpi ka 400 milionë nën jastëk. Nëse ju njihni dikë që mund të mbajë 400 milionë në shtëpi, në Shqipëri, për mua është anormale. Është ndihmë e madhe për ne që ta ndërpresim njëherë e mirë këtë fenomen”, – u shpreh Ganaj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





