Itali, 23 prill 2014 – Një italian ka humbur jetën në përpjekje për të rimarrë portofolin e humbur të një shqiptari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të dielën e Pashkës, në provincën e Poggioreale-s, në Itali. 40 vjeçari Salvatore Sagliocco është qëlluar tetë herë me hanxhar nga një tjetër italian, me të cilin ai kishte njohje. Siç raportojnë mediet italiane, 40 vjeçari Sagliocco kishte shkuar në shtëpinë e dy vëllezërve Manna për të kërkuar portofolin që një punonjës i tij shqiptar kishte harruar në një pikë bastesh, e që ishte marrë nga Salvatore Manna. Në momentin që është larguar nga qendra e basteve, shqiptari ka harruar aty portofolin, që është gjetur dhe është marrë nga Salvatore, ashtu siç dokumentojnë edhe pamjet filmike të pikës së basteve.
Në portofol ndodheshin dokumentet e shqiptarit dhe leja e tij e qëndrimit, aq e domosdoshme për emigrantin. Në kohën kur Salvatore ka trokitur në derën e apartamentit të vëllezërve Manna dhe ka kërkuar mbrapsht portofolin, mes të treve ka nisur një konflikt verbal që më pas është shndërruar në tragjedi. Salvatore Manna ka shkuar në kuzhinë dhe me një hanxhar në dorë ka dalë tek dera e apartamentit dhe ka goditur 8 herë me të 40 vjeçarin Saglioco. Ky i fundit ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





