Krujë, 23 prill 2014 – Prindërit e një adoleshenteje nga Kruja i janë drejtuar mbrëmjen e së martës komisariatit të policisë për të bërë denoncimin për zhdukjen e vajzës së tyre. Babai i 15 vjeçares Xh.K. ka treguar në polici se hera e fundit kur e kanë parë të bijën ka qenë rreth orës 08.00 të mëngjesit së të martës, kur ajo është nisur për në shkollë.

Më pas familja nuk ka mundur të komunikojë më me vajzën. Pasi kanë pyetur shoqet e shokët e shkollës si dhe kanë komunikuar me të gjithë të afërmit, nëse ata kishin ndonjë informacion lidhur me vendndodhjen e adoleshentes, prindërit janë alarmuar nga ky largim i panjoftuar.

Të trembur për fatin e vajzës së re, ata kanë kërkuar nga forcat e rendit gjetjen e saj. Policia ka nisur hetimin lidhur me këtë rast dhe po punon për të lokalizuar vendndodhjen e adoleshentes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/