Kosovë, 23 prill 2014 – Me 89 vota pro, 22 kundër dhe dy abstenime, Parlamenti i Kosovës, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme për krimet e luftës dhe vendosi të zgjasë edhe për dy vjet të tjera mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dik Marti për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se “kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar këtë gjykatë, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë së saj”. “UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe ka respektuar normat ndërkombëtare. Pikërisht për këtë shkak Kosova u ndihmua nga aleatët ndërkombëtarë dhe e fitoi luftën çlirimtare”, tha kryeministri Thaçi, duke nënvizuar se themelimi i gjykatës “është një gjë shumë e vështirë, e cila do të rëndojë në ndërgjegjen tonë derisa të jemi gjallë.Por, ai tha se themelimi i gjykatës është i pashmangshëm. “Sot nuk kemi dy opsione. Kemi vetëm një opsion. E ky është vazhdimi i bashkëpunimit me SHBA-të dhe BE-në, që nënkupton se duhet të themelojmë këtë gjykatë”, është shprehur Thaçi.

Edhe përfaqësuesit e partive tjera politike mbështetën themelimin e gjykatës me gjithë mospajtimin e tyre, ndërsa kundër është shprehur lëvizja Vetëvendosje.

Gjykata, hollësitë e veprimit të së cilës ende nuk janë të qarta, do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, me gjasë në Holandë, ndërsa prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar. Kjo, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, do të ndihmojë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Pretendimet e zotit Marti po hetohen që nga viti 2011 nga një grup pune i kryesuar nga prokurori amerikan Clint Wlliamson, raporti i të cilit pritet të bëhet publik në muajin qershor.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/