Greqi, 23 prill 2014 – Një i dënuar shqiptar është plagosur me thikë në burgun e Koridhalosit, në Greqi, pasi ndërhyri për të penguar një konflikt mes dy të dënuarve që donin të arratiseshin dhe gardianëve të burgut.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur tnë spitalin psikiatrik të burgut të sigurisë së lartë të shtunën e javës së kaluar, por vetëm sot mediat greke e bënë publike lajmin.
Një i dënuar grek dhe një rumun kishin bërë në plan të arratiseshin dhe për të realizuar qëllimin, rumuni kërkoi të shkonte në spital me pretendimin se kishte dhimbje zemre, por gardianët thanë se do të njoftonin mjekun.
Në këtë moment i dënuari grek kërcënoi me thikë rojen e burgut duke i kërkuar çelësat, kërcënim që u kthye në përleshje mes tyre. Zhurmat kanë tërhequr dy të dënuar të tjerë, një shqiptar dhe një grek, të cilët ndërhynë për të qetësuar situatën.
Gjatë përleshjes rumuni qëlloi me thikë shqiptarin, duke e plagosur. I dënuari shqiptari, i cili sipas medias greke, pati një rol të rëndësishëm në neutralizimin e situatës, u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





