Spanjë, 23 prill 2014 – Lajme të mira për Barcelonën. Pas bllokadës 14-mujore në merkato nga FIFA për shkeljen e rregullave në transferimet e disa lojtarëve minorenë, klubi blaugrana mund të vijojë normalisht aktivitetin, të paktën gjatë kësaj vere. FIFA komunikoi zyrtarisht se ka aprovuar kërkesën e Barçës për të pezulluar përkohësisht masën që ishte marrë deri në përfundim të procesit që tashmë ndodhet në Apel. Presidenti i Komisionit të Apelit në FIFA, Larry Mussenden argumentoi se në pamundësi për të dalë me një vendim para 1 Korrikut 2014, ndëshkimi i Barcelonës i aprovuar më parë nga Komisioni i Disiplinës do të lihet pezull për të garantuar në të njëjtën kohë respektimin e të drejtave të klubit. Nëse përgjigja e Apelit nuk do të ishte pozitive, drejtuesit e blaugranave do t’i drejtoheshin më pas Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, pra një merkato e çuar dëm edhe nëse klubit në fund do t’i jepej e drejta që kërkon. Me këtë justifikim, presidenti i Komisionit të Apelit deklaroi se ndërkohë që çështja vazhdon të shqyrtohet, Barça mund të përforcojë ekipin në përfundim të sezonit dhe të parët që priten të mbërrijnë në Camp Nou janë portieri Marc Andre Ter Stegen si pasues i Victor Valdes dhe talenti i ri kroat, Alen Halilovic.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/