Tiranë, 23 prill 2014 – Trukimet e e ndeshjeve të futbollit shqiptar mbeten në vëmendjen e organit maksimal të futbollit Europian, UEFA-s, që i kushton rëndësi të veçantë ndershmërisë së lojës në vendin tonë dhe vijon hapat konkretë në këtë drejtim. Posaçërisht për këtë çështje mbrëmjen e kësaj të mërkure mbërrin në Tiranë një delegacion i organizmit qeverisës të futbollit europian, i përbërë nga Ulf Kluser, oficer i integritetit në Uefa si dhe Emilio Garcia, shef i komisionit të disiplinës në qeverinë evropiane të futbollit.
Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një komunikate për shtyp nga Federata Shqiptare e Futbollit që sqaron se veç takimeve me drejtues të këtij institucioni, të dërguarit e UEFA-s do të vizitojnë edhe Prokurorinë Shqiptare ku në qendër të bisedimeve me përfaqësuesit e akuzës do të jetë ecuria e hetimeve të Prokurorisë në lidhje me ndeshjet e dyshuara si të trukuara në futbollin shqiptar. Delegatët e UEFA-s do të priten të enjten në Prokurorinë e përgjithshme nga Drejtori i Hetimit, Adnan Xholi.
Takimet e oficerit të integriteit në Uefa, Ulf Kluser, dhe shefi i komisionit të disiplinës Emilio Garsia, vijnë pas takimeve të nivelit të lartë të zhvilluara në nëntorin e kaluar nga ana e zv Sekretarit të përgjithshëm të Uefas, Teodor Teodoridis me drejtuesit kryesorë të Federatës shqiptare të futbollit dhe prokurorisë shqiptare.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





