Durrës, 23 prill 2014 – Humbja në Laç ka venitur shpresat e Teutës për arritjen e vendit të tretë në klasifikim, çka do të thotë se janë të varur nga Kukësi për të siguruar një biletë për në Europë, gjithnjë nëse verilindorët do të fitonin Kupën e Shqipërisë. Nga ana tjetër, Teutës i duhet të renditet në fund të kampionatit mbi Laçin, skuadër që i mundi në sfidën e së dielës. Ndonëse nuk ndodhen në pozita të mira, durrsakët nuk i kanë humbur shpresat për në Europë. Mesfushori Ansi Nika theksoi se nuk e meritonin humbjen ndaj Laçit, ndërsa shton se e gjithë vëmendja e durrsakëve është përqendruar te Skënderbeu, me të cilin do të përballen në fundjavë.
“Ndaj Laçit bëmë një paraqitje të mirë, por nuk mundëm të dilnim dot me pikë nga ajo përballje. Ishte një humbje shumë, shumë e hidhur pasi tashmë, përveçse duhet ta parakalojmë Laçin, varemi drejtpërdrejtë nga Kukësi, i cili shpresojmë të fitojë Kupën e Shqipërisë, në mënyrë që t’i hapet rruga vendit të katërt. Nuk ndihemi në situatë komode, për çka na vjen shumë keq, sepse Teuta nuk e meriton pozicionimin aktual. Duhet t’i mbledhim të gjitha forcat për përballjet e mbetura, por më duhet të pranoj se jemi me ‘sy e vesh’ nga finalja e Kupës. Tashmë duhet të përqendrohemi te përballja e radhës, e cila do të jetë shumë e vështirë. Ne do të presim Skënderbeun, përballë të cilit nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç fitores. Kanë mbetur vetëm katër përballje për t’u luajtur dhe koha nuk premton shumë për rikuperim, ndaj duhet të hedhim hapa të saktë”,- tha Nika.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





