Tiranë, 23 prill 2014 – Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka akuzuar dyshen Rama-Meta se koncepti oligarkik për shtetin e demokracinë i përkthyer në papërgjegjshmëri arrogante është shndërruar në shtim të papunësisë të shqiptarëve, pasiguri për humbje të vendeve të punës, rritje çmimesh dhe arbitraritet fiskal.
Deklarata është bërë gjatë një tryeze ‘Ku po shkon Shqipëria’, mbajtur sipas Bashës edhe me kërkesat e përsëritura nga sindikatat e pavarura për një diskutim të hapur.
“Pas 8 muajsh qeverisje Rama-Meta kemi një rritje të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve bazë nga 11-15%. Ne paralajmëruam se paketa fiskale dhe taksat e rënduara të konsumit do të kishin këtë efekt, do të shtrenjtonin jetesën dhe kjo ndodhi dhe po vazhdon të ndodhë. Konsumi ka një rënie, të cilën nuk e fsheh dot as përralla e kryeministrit, por është në ditën e tij më të zezë në kujtesën e freskët të shqiptarëve. Ngrirja e pagave dhe pensioneve ka ndikuar qartazi në rënien e fuqisë blerëse”, – deklaroi Basha.
Sipas kreut të demokratëve,“detyra e opozitës është të sigurojë me çdo çmim instrumentet dhe mekanizmat, që dyshja Rama-Meta të hapë sytë ose të përballet me pasojën e plotë të mashtrimit dhe dështimit ndaj premtimeve me të cilat erdhi në pushtet”.
Basha ka shtuar më tej se buxheti i qytetarëve është varfëruar, pasi pjesa më e madhe e të ardhurave përdoren për blerjen e ushqimeve bazë, ndërkohë që po kursehet gjithnjë e më pak.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





