Durrës, 23 prill 2014 – Isli Hoxha, vetëm 17 vjeç, arriti të fitojë konkursin për të hyrë në “Actor Studio”, shkollën më të famshme për aktorë në SHBA. Në këtë shkollë kanë studuar edhe bij të tjerë emigrantësh, që më pas u bën të famshëm si psh. De Niro apo Al Pacino. Në këtë shkollë ka studiuar edhe aktori i famshëm shqiptar Xhim Belushi.
Isli Hoxha banon në qytezën piktoreske të Imperias në Itali dhe është fëmija i një familjeje emigrantësh shqiptarë, që thyen stereotipin negativ që ishte krijuar vite më parë për shqiptarët në Itali. Babai i tij, Agimi, me shumë punë dhe djersë arriti të bëhet pronar i një firme ndërtimi. E ëma, Bukra, është pronare e një rrobaqepsie për burra e gra. Vetë Isli studionte në liceun prestigjoz shkencor “Visseux”. Gjithsesi pasioni i Islit ishte arti, kinematografia. Xhaxhai i tij, që është emigrant në Nju Jork, i sugjeroi të konkuronte në Amerikë, në shkollën prestigjoze “Actor Studio”, dhe shqiptari Isli fitoi!
Italianët e shikojnë suksesin e Islit si sukses të tyre dhe i ofruan atij çdo ndihmë të mundshme. Vetë konsullja e përgjithshme e Italisë në Nju Jork, Natalja Kuintavale (Natalia Quintavalle) e ndihmoi Islin për të marrë vizën amerikane dhe për t’u regjistruar në kursin për të folurën skenike të shkollës “ Lee Strasberg Acting School”. Isli me krenari shprehet në një intervistë për gazetën prestigjoze italiane “Il secolo XIX”: “Në Amerikë komandon meritokracia”.
Ky shembull i një familje të suksesshme emigrantësh shqiptarë na bën krenarë dhe na vë në mendime njëkohësisht, duke i bërë vetes pyetjen: Po në Shqipëri, kur do komandojë meritokracia?
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





