Nga Flamur KUÇI

Që riroganizimi i PD të mos jetë një tender me fitues të paracaktuar

Pas rreth 10 muajve nga zgjedhjet e fundit, ku PD mori një humbje të thellë dhe një mesazh të fortë nga elektorati, ende nuk ka një analizë (qoftë edhe pa emra, por uroj jo edhe pa shifra…!) mbi shkaqet e humbjes. Megjithëse një analizë e tillë është një detyrim ndaj votuesve të PD dhe sidomos ndaj militantëve të saj, largimi nga të cilët është vetë një nga shkaqet kryesore të humbjes së qershorit 2013, dukshëm kreu i partisë as nuk ka ndërmend të ndërmarrë një hap serioz për këtë çështje.

Ka një ndarje serioze qëndrimesh që do duhet të mbajë PD në aksionin e saj opozitar. Njëri qëndrim mund të përmblidhet në mënyrë sintetike; PD duhet të analizojë me seriozitet dhe sinqeritet në raport me elektoratin, shkaqet e humbjes përmes një analize serioze, në vend që të avancojë teza justifikuese si shitblerja e votës.

PD, gjatë dhe pas procesit të riorganizimit, duhet të ndërtojë një distancë me fenomenet që degraduan qeverisjen e PD siç ishte korrupsioni apo klientelizmi që zëvendësoi mbështetjen tek elektorati, në vend që të vendosë në themel të riorganizimit simbolikën e korrupsionit.

PD duhet të ofrojë rregulla dhe kritere në procesin riorganizimit në vend që ta konsiderojë riorganizimin si një ‘tender me fitues të paracaktuar’, për të cilin duhen ndërtuar kriteret e duhura.

PD duhet të sigurohet që rihap partinë ndaj vlerave në vend që të promovojë antivlerat, për të cilat u ndëshkua.

Artikullshkruesi qartazi dhe në mënyrë të vendosur është në favor të këtij qëndrimi. Vetëm në këtë mënyrë PD mund të jetë bindëse për opinionin publik dhe serioze përballë qeverisjes diletante dhe plot defekte të Rilindjes. Vetëm në këtë mënyrë PD mund të aspirojë që të bëjë diferencën dhe jo thjesht të arrijë një rezultat zgjedhor. Vetëm në këtë mënyrë PD mund të jetë alternativë dhe jo thjesht ‘e keqja më e vogël’ përballë të keqes së madhe që po e çon elektoratin (ndoshta jo pa qëllim) në dëshpërimin e mungesës së alternativës.

Qëndrimi i dytë mund të sintetizohet; PD nuk ka kohë të merret me veten dhe me analiza, pasi duhet të bëjë opozitë. PD do kalojë në të njëjtin cikël transformimi si PS dhe një ditë, pavarësisht të gjithave, do vijë se do vijë vetvetiu në pushtet. Kryetari i ri duhet të ndërtojë ekipin e tij të besuar dhe në këtë proces ai duhet të bëjë fakt rregullat e tij.

Kreu i partisë është dukshëm në favor të këtij qëndrimi. Madje, interesi i kreut është edhe më i vogël se kaq. Ai reduktohet në dilemën; a do gjejnë apo nuk do gjejnë palët në PD ekuilibrin e pushtetit brenda partisë, pavarësisht nevojës që ka PD për t’u reformuar dhe për t’u riparaqitur si një alternativë serioze dhe bindëse. Ilustrimi më i mirë për këtë është lista e koordinatorëve që kryetari ka ngarkuar me rimëkëmbjen. Sipas qëndrimit të parë, në shumicën dërrmuese kjo listë do të ishte e papranueshme, sepse një pjesë e mirë e tyre janë individualisht përgjegjës për humbjen për shkak të funksioneve që kanë mbajtur, për shkak të emrit të keq ose për shkak të konfliktit të hapur me ligjin dhe me parimet e mirëqeverisjes. Për kreun, që përkrah qëndrimin e dytë, ata janë “themeli i botës”, sepse reflektojnë ekuilibra. Kjo dilemë është deprimente dhe tregon nivelin e degradimit të diskursit politik brenda PD.

Dy qëndrimet nuk janë rastësisht të ndryshme. Në themel, ato reflektojnë dy mënyra të të shikuarit të PD dhe opozitës. Mbështetësit e PD e shohin vetë PD-në dhe opozitën si një ‘aset’ që duhet ruajtur, zhvilluar dhe të cilit i duhet rritur vlera. Dhe vlera i rritet duke e bërë produktin (aksionin opozitar) të vërtetë. Vetëm duke qenë të vërtetë me veten mund të jemi të vërtetë edhe në aksionin tonë. Kjo është arsyeja themelore pse mbështetësit kërkojnë përgjigjet e duhura tek analiza e humbjes së PD.

Për pasojë, aksioni opozitar dhe vetë PD rrezikon të mos shihet dhe vlerësohet si ‘aset’, por të reduktohet në një ‘kolateral’. Në ndryshim nga ‘aset’-i kolaterali nuk kërkon që t’i rritet vlera. Ai a ka kryer tashmë funksionin e tij. Ai është lënë peng. Esencialisht, PD rrezikon të shihet nga kreu i ri si një mundësi për t’u shfrytëzuar, pavarësisht kontributit të mbështetësve. Për kreun, e rëndësishme është e ardhmja e tij individuale dhe për këtë merr borxh të ardhmen e PD. Duke lënë peng vetë PD-në qartazi kreu nuk ka ndër mend ta lajë ndopak këtë borxh, që do të thotë se nuk ka ndër mend të punojë për t’i rritur vlera aksionit opozitar të PD-së, por është në kërkim të klientit të radhës.

Personalisht, besoj se PD ka të tilla vlera, që nuk do lejojnë ta reduktojnë në një peng të individit apo pak individëve, për të larë borxhin e tyre në pokerin e radhës. Por është e rrezikshme për vetë kreun nëse thellon ndarjen midis vërtetësisë që kalon përmes një analize të sinqertë, siç e kërkojnë mbështetësit dhe tenderit të radhës që i kërkon klientela.