Itali, 22 prill 2014 – Ali Gockaj , 42 vjeç, është nisur me datë 16 prill me traget nga Durrësi për në Bari për të festuar Pashkët me familjarët e miqtë. Sapo zbret në Bari arrestohet nga policia italiane si trafikant droge. Fatmirësisht ishte një gafë e gjyqësorit italian dhe e policisë kufitare, që nuk kishin përditësuar bankën e të dhënave në kompjuterat e tyre.

Mbi Ali Gockajn, sipas një direktive europiane dhe sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, që e shpallte atë të pafajshëm, nuk rëndonte më dekreti  i dëbimit nga Italia si edhe një dënim si trafikant droge i dhënë nga gjykatat shqiptare. Brenda tre ditësh Aliu arrestohet, gjykohet dhe shpallet plotësisht i pafajshëm nga Gjykata e Barit.

Për të arritur në këtë pafajësi, në prag Pashkësh, kur në gjykatën e Barit nuk gjen këmbë gjykatësi nuk ishte punë e lehtë. Sipas kompjuterave me të dhëna të vjetëruara, mbi Aliun rëndonte një dekret dëbimi me afat 10 vjet i lëshuar nga Kuestura e Brindizit. Ky dekret sipas direktivës europiane tashmë konsiderohej i zhbërë, sepse nuk lejohej më dëbimi nga territori kombëtar për një periudhë më të gjatë se pesë vjet, por Aliu gjithsesi përfundoi në pranga për shkak të paditurisë së policëve italianë.

Mbi Aliun, sipas policisë italiane dhe oficerëve të kontaktit të policisë shqiptare pranë ambasadës (konsullatës) sonë në Itali, rëndonte edhe një dënim me 10 vjet burg i dhënë nga gjykata shqiptare për trafik droge. Faktikisht Gjykata e Lartë shqiptare kishte dhënë një vendim të formës së prerë më 20 mars 2013, që e lironte nga burgu Aliun duke e shpallur të pafajshëm nga akuza për trafik droge. Pas këtyre telasheve më në fund Ali Gockaj ishte i lirë, por ama ju prish festimi i Pashkëve për këtë vit.

/gje.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/