Durrës, 22 prill 2014 – Laçi nuk ka falur në shtëpi, teksa ka mundur Teutën me rezultatin minimal 1-0, duke u rikthyer kështu te fitorja pas katër javësh. Në një ndeshje mjaft të luftuar, kurbinasve u ka mjaftuar një gol i Nimanit, i cili rikthehet pas një muaji pushim për të dalë me tri pikë nga fusha e lojës. Me këtë fitore, kurbinasit i kanë parakaluar durrsakët në klasifikim, duke u renditur tashmë të katërtit me vetëm tri pikë larg vendit të tretë, pozicion ky që të çon në Europë. Sfida ka pasur dy tablo, me një Laç tepër kërkues gjatë 45 minutave të para, këmbëngulja e të cilëve u shpërblye me golin e shënuar nga shkodrani Nimani dhe një pjesë e dytë më e mirë për miqtë, por pa mundur të gjenin rrugën e rrjetës. Për durrsakët, Batha ka qenë më i miri në fushën e lojës ndërsa sulmuesi Samb ka qenë më pak aktivi në takimin e djeshëm. Ndonëse pritej shumë prej tij, ai nuk bëri asgjë duke humbur një pjesë të mirë të dueleve me nigerianin Çarls Ofejeh. E duke parë paraqitjen e tij të dobët, trajneri Biturku e zëvendësoi. Ndërkohë, edhe dyshja e qendrës së mbrojtjes durrsake, gaboi në rastin e golit të vendësve, duke mos mbuluar siç duhet Xhejmsin fillimisht dhe Nimanin e lënë të lirë. Gjithsesi, në kampin durrsak nuk humben shpresat dhe do të luftojnë deri në fund për objektivin e tyre. Pavarësisht humbjes trajneri i Teutës Ilir Biturku pranoi se Teuta nuk dorëzohet në garën për Europën.

“Pavarësisht kësaj humbjeje ne nuk dorëzohemi. Luajtëm mirë ndaj Laçit dhe e dominuam kundërshtarin në pjesën e dytë, por nuk arritëm të finalizonim, duke treguar kjo është pika jonë më e dobët. Megjithatë pavarësisht kësaj humbjeje ne nuk heqim dorë dhe besojmë deri në fund te Europa”, – tha Biturku.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/