Durrës, 22 prill 2014 – Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e tre autorëve, të cilët dyshohen për vjedhjen e bobinave të transformatorit të energjisë elektrike në fshatin Karkavec të Librazhdit.
Burime të policisë bëjnë të ditur se “janë arrestuar Bujar Abllanica, 58 vjeç, Ervis Menkollari, 30 vjeç dhe Ermal Qesolli, 32 vjeç, të tre me banim në Shkozet, Durrës. Arrestimi i tyre u bë pasi në datën 12 prill në fshatin Karkavec, dyshohet të kenë vjedhur bobinat e transformatorit të energjisë elektrike, e me pas i kanë shitur në një pikë skrapi në qytetin e Durrësit”.
Në cilësinë e provës materiale Policia gjeti dhe sekuestroi mjetin tip Fiat me targa AA 591 HU, si dhe disa sende të tjera si, 2 leva metalike, 4 palë pinca, 1 thikë, 1 sharrë hekuri, kaçavida dhe çelësa të llojeve të ndryshme. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





