Durrës, 21 prill 2014 – Megjithëse shqiptarët tashmë prej vitesh mund të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të zonës Shengen, tentativat për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin vazhdojnë.

Gjatë fundjavës, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy të rinj, banorë të qytetit bregdetar. Pak ditë më parë, 20 vjeçari S.D., ndërsa është paraqitur pranë sportelit të kontrollit të dokumentave në portin e Durrësit i ka treguar punonjësit të policisë kufitare një ftesë pritëse, për të cilën efektivi i policisë ka dyshuar se ishte e falsifikuar. Për këtë arsye, 20 vjeçari S.D. nuk është lejuar të inbarkohet në tragetin e linjës Durrës-Bari.

Policia ka nisur verifikimet e nevojshme për të zbuluar personin që kishte falsifikuar ftesën pritëse. Pas marrjes në pyetje të 20 vjeçarit, efektivët e rendit kanë mësuar se ka qenë një punonjës agjencie biletash në Durrës, ai që i ka dhënë të riut ftesën false.    

Për këtë arsye, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë edhe për 25 vjeçarin M.Sh., punonjës pranë një agjencie turistike. Të dy të rinjtë akuzohen për veprën penale ”Falsifikim i dokumentave”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/