Durrës, 21 prill 2014 – Zëvendëstrajneri i skuadrës së volejbollit Partizani për femrat, Ilir Thanasi, 42 vjeç po hetohet nga policia pasi akuzohet se ka goditur me pëllëmbë për shkak të detyrës, arbitrin Igli Fështi, 24 vjeç.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të së dielës në pallatin e sportit "Ramazan Njala" në Durrës gjatë zhvillimit të ndeshjes finale të volejbollit për femra midis skuadrës së Partizanit dhe Universiteti "Marlin Barleti".
Zëvendëstrajneri i Partizanit ka akuzuar arbitrin për favorizim të skuadrës kundërshtare duke iu afruar dhe, pasi e ka ofenduar e qëlloi me pëllëmbë.
Ngjarja është denoncuar nga Fështi, i cili deklaroi se Thanasi u irritua për shkak se skuadra e tij po humbiste. Policia e Durrësit nisi hetimet në gjendje të lirë në ngarkim të 42-vjeçarit për veprën penale ”Goditje për shkak të detyrës”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





