Tiranë, 21 prill 2014 – Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço akuzon Këshillin e Lartë të Drejtësisë për mungesë efiçence, dhe promovim të gjyqtarëve, ndaj të cilëve janë konstatuar shkelje. Në një letër publike drejtuar zëvendës kryetarit të KLD-së, Elvis Cefa, Naço thekson se më shumë se një vit më parë, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar procedim disiplinor për gjyqtarët Valbona Duraj, Lindita Hoxha dhe Granit Qypi, kërkesa këto që edhe sot e kësaj dite nuk janë marrë parasysh.
“Nga ana juaj jo vetëm që nuk janë marrë masat për tu shqyrtuar kërkesat në fjalë, por është lejuar si në rastin e gjyqtarit Granit Qypi, vazhdimi në kundërshtim me ligjin në funksionin e tij drejtues i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, pavarësisht kërkesës së Ministrit të Drejtësisë. Po kështu në rastin e gjyqtares Valbona Duraj, në kundërshtim me ligjin është lejuar promovimi i saj pavarësisht kërkesës së sipërpërmendur të Ministrit të Drejtësisë”,– shkruan Naço në letrën e tij.
Më tej, ministri thekson se ndonëse ka kaluar mbi 1 vit nga depozitimi i këtyre kërkesave, KLD-ja, në mungesë të plotë të efiçencës jo vetëm që nuk i ka shqyrtuar propozimet në fjalë por në të kundërt ka lejuar promovimin e këtyre gjyqtarëve.Ministri i Drejtësisë ka kërkuar nga KLD-ja që këto kërkesa të përfshihen në rendin e ditës në mbledhjen më të afërt.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





