Spanjë, 21 prill 2014 – Ka shumë presion që rëndon mbi shpatullat e Lionel Messit pas tre humbjeve radhazi në një javë tragjike për Barcelonën. Xavi mendon se shoku i tij i skuadrës duhet të lihet i qetë nga të gjithë, sidomos nga zërat kritikë, në mënyrë që të përqëndrohet maksimalisht te loja dhe jo njerëzit që flasin për një agoni të blaugranave.
“Shpesh kërkohet shumë prej Messit, por ai duhet të lihet i qetë që të bëjë punën e tij. E pamë të gjithë se ndaj Bilbaos ishte pikërisht Messi që vendosi fitoren e skuadrës”. Mesfushori i katalanasve e pranoi se edhe ndaj rivalëve baskë, Barça vuajti për t’u rikthyer në rrugën e sukseseve.“Duhet ta kishim mbyllur takimin shumë më herët, por gjithsesi mund të them se bëmë një lojë të mirë. Morëm 3 pikë mjaft të rëndësishme për të mbajtur gjallë shpresat për titullin. Treguam se kemi karakter”,- tha Xavi.
Nga disavantazhi me Bilbaon, ishte Pedro që barazoi e më pas Messi që vulosi triumfin për Barçën, e cila ndodhet 4 pikë prapa Atleticos. Me Los Colchoneros, blaugranat do të luajnë takimin e fundit të sezonit në Camp Nou.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





