Durrës, 21 prill 2014 – Fenomeni i vjedhjeve në qytetin e Durrësit dhe rrethina është kthyer në një fenomen shqetësues muajt e fundit. Çdo ditë në njoftimin për shtyp të policisë raportohen vjedhje nga më të ndryshmet, kryesisht banesash e lokalesh, madje në disa raste numri i tyre arrin në tre dhe më shumë.
Një ditë më parë, policia e Durrësit ka mundur të identifikojë, por pa i prangosur, autorët e vjedhjes së një lokali në lagjen nr.4 në Durrës. 35 vjeçari Ylli Grabovari dhe 17 vjeçari B.K., të dy nga Durrësi, janë personat që në orët e para të mëngjesit të së shtunës kanë vjedhur në lokalin e shtetasit I.H. shumën prej 65 mijë lekë. Për të dy këta shtetas policia ka nisur procedimin penal në mungesë dhe po punon për prangosjen e tyre.
Ndërkohë, po një ditë më parë, policia ka arritur të dokumentojë se 17 vjeçari B.R, banues në Durrës ka vjedhur një motorçikletë tip “Yamaha” , që ishte në pronësi të një 55 vjeçari. Adoleshentit i është sekuestruar motorçikleta e vjedhur në cilësinë e provës materiale.
Gjatë fundjavës, në komisariatet e policisë së Durrësit dhe Shijakut janë denoncuar 4 raste vjedhjesh nga të cilat evidentohen një vjedhje dyqani në lagjen nr.15, ku janë marrë produkte ushqimore dhe industriale me vlerë 30 mijë lekë si dhe një vjedhje automjeti në lagjen nr.18, ku një 48 vjeçari i është vjedhur para shtëpisë makina tip Benz me targa DR 9634 C.
Vëmendjes së hajdutëve nuk i ka shpëtuar as një lopë si dhe disa grila dritaresh që janë vjedhur përkatësisht në lagjen nr.15 dhe në Sukth.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





