Indi, 20 prill 2014 – Prej tre vitesh kishin krijuar një lidhje sentimentale në rrjetin social Facebook. Shkëmbenin mesazhe romantike, por nuk ishin parë asnjëherë. Më në fund, 21 vjeçari Vineet Singh i propozon të dashurës së tij virtuale të takohen afër lumit Narmada, në Madhya Pradesh, në Indi dhe ajo pranon.

Por dita e takimit do të ishte fatale për të dy. 21 vjeçari Singh do të zbulonte se e dashura e tij ishte Jyoti Kori, një 44 vjeçare, nënë e tre fëmijëve.

Sipas policisë, 44 vjeçarja kishte vënë si foto profili, foton e një aktoreje të Bollywood-t dhe mesa duket nuk i kishte rrëfyer të riut moshën e saj të vërtetë. Në momentin kur 21 vjeçari është përballur me realitetin e hidhur ka qëlluar me armë ndaj 44 vjeçares duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ka qëlluar veten dhe ka humbur jetën pak orë më vonë si pasojë e plagës së marrë.

Ajo, që pretendohej të ishte një fundjavë romantike për një çift të dashuruarish virtualë, u kthye në një tragjedi për të dy palët.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/