Tiranë, 20 prill 2014 – Mosha e pensionit në vendin tonë do të shkojë gradualisht drejt mesatares europiane, që është 65 vjeç për gratë dhe 67 vjeç për burrat. Drafti i ri për reformën e pensioneve parashikon që duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm, mosha për gratë të rritet me 2 muaj për çdo vit kalendarik deri në vitin 2032. Rritja do të prekë edhe gratë që aktualisht janë në prag pensioni. Pra, një grua që sipas ligjit aktual e plotëson moshën e daljes në pension në muajin janar 2015, sipas ligjit të ri, asaj do t’i duhet të presë edhe dy muaj për ta ligjëruar të drejtën e pagesës së pleqërisë në mars. Hartues të draftit të ri të pensioneve bëjnë të ditur se për burrat rritja e moshës me një muaj për çdo vit do të fillojë pas vitit 2025, citon Panorama. Sipas kësaj skeme, rritja e moshës do të vijojë deri në vitin 2052, kur burrat të kapin moshën 67 vjeç për të dalë në pension. Sipas hartuesve të draftit, rritja reale e moshës së pensionit me 3 vite për femrat dhe 2 për meshkujt do të jetë e plotë për fashën e popullsisë që sot është rreth 40 vjeç. Rritja e moshës së pensionit për të dyja gjinitë është bërë duke u bazuar edhe në të dhënat për rritjen e jetëgjatësisë. Sipas projeksioneve të bëra, në vitin 2045, rreth 30 për qind e popullsisë do të jetë në moshë pensioni.
Për punët e kategorisë së parë, ku futen profesionet e vështira, propozohet që mosha e pensionit të ulet me 5 vite, pra nga 60 vjeç që është aktualisht të shkojë në 55 vjeç. Ndërsa për rreth 7000 funksionarë të lartë të shtetit, si: deputetë, gjyqtarë, prokurorë etj., të cilët aktualisht dalin në pension kur mbushin 55 vjeç, propozohet një rritje e konsiderueshme e moshës. Për këto kategori parashikohet që mosha e pensionit të jetë e barabartë me pjesën tjetër të popullsisë, si dhe të mos përftojnë më prej skemës së pagesave suplementare.
Reforma e pensioneve pritet të miratohet brenda vitit aktual, për të hyrë në fuqi nga muaji janar i vitit 2015.
PROPOZIMET PËR MOSHËN
FEMRAT
Propozohet rritja e moshës së pensionit me 3 vite
Rritja e moshës me 2 muaj në vit nis në janar 2015
Rritja e moshës do të përfundojë në vitin 2032
Në vitin 2032 mosha e pensionit do jetë 63 vjeç
MESHKUJT
Propozohet rritja e moshës së pensionit me 2 vite
Rritja e moshës me 1 muaj në vit do nisë në vitin 2025
Rritja e moshës për burrat do të përfundojë në vitin 2052
Në vitin 2052 mosha e pensionit për burrat do jetë 67 vjeç
PROFESIONET E VËSHTIRA
Parashikohet ulja e moshës së pensionit me 5 vite
FUNKSIONARËT E LARTË
Mosha e pensionit të jetë sa pjesa tjetër e popullsisë





