Itali, 20 prill 2014 – Me dhjetëra-mijëra vetë mbushën sheshin e Shën Pjetrit në Romë për meshën e Pashkëve të kremtuar nga Papa Françesku. Dita më e shenjtë e kalendarit të krishterë e vendosi Papën argjentinas përpara turmës gjigande të romanëve, pelegrinëve e turistëve të mbërritur nga çdo cep i botës për të mos humbur këtë moment kaq të veçantë.
Nga ballkoni i bazilikës, Bergoglio përcolli një mesazh që nuk u kufizua siç e do tradita tek vuajtjet në vendet e trazuara siç është Siria apo së fundmi Ukraina, por iu referua “çdo situate njerëzore” të shënjuar nga brishtësia në pohimin se lajmi i mirë nuk është vetëm një fjalë, por një dëshmi e dashurisë pa kushte. Lutja e tij ishte për të gjithë popujt e botës.
“Ngushëlloji o Zot ata që sot nuk e festojnë dot Pashkën me njerëzit e dashur. Ngushëllo ata që kanë lënë tokat e tyre për të emigruar në vende ku shpresojnë të gjejnë një të ardhme më të mirë, që duan ta jetojnë jetën me dinjitet, që kërkojnë lirinë e besimit të tyre. Të lutemi o Jezus lavdiplotë, bëj që të pushojë çdo luftë, çdo armiqësi e madhe apo e vogël, e hershme apo e vonë”,- tha Papa Françesku.
Pashkët sakaq janë kremtuar në pjesë të ndryshme të Botës. Besimtarët ndezën qirinj në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem e ndoqën procesionin e klerikëve teksa i drejtohej altarit. Historia e grave që mbërritën në këtë varr për ta gjetur bosh e rrugës takuan Jezuin të gjallë, është mishërimi i jetës dhe dashurisë, episodi që ndryshoi përgjithmonë jetët e tyre, por edhe jetët e të gjithë njerëzve të tjerë që dëgjuan lajmin e mrekullisë.
Miliona vetë festojnë sot nëpër botë Pashkët katolike dhe ato ortodokse sepse kështu përkuan sivjet kalendarët e Kishës së Perëndimit e asaj të Lindjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





