Durrës, 20 prill 2014 – Situata pas ngjarjes së rëndë që ndodhi dje, kur një 39 vjeçar në rrethana të panjohura u hodh nga trageti i linjës Bari-Durrës, është filmuar nga një udhëtar i tragetit me celular. Pamjet u vunë në dispozicion të gazetarit të News24 dhe BalkanWeb, Enver Doçi. 

Ajo çfarë duket në pamjet e filmuara, është situata që ka mbizotëruar pas hedhjes të 39-vjeçarit Gentian Peta nga trageti në det, 12 milje larg portit të Durrësit. Siç tregojnë dëshmitarët, trageti ndaloi pas njoftimit se një person ra në det, por skafi i shpëtimit u ul me vinç vetëm pas një ore, duke bërë të pamundur kështu shpëtimin e 39-vjecarit, baba i dy fëmijëve, emigrant në Gjermani. Pamjet tregojnë momentet e uljes në det të skafit të shpëtimit, i cili për fat keq nuk arriti ta kryente misionin e vet, edhe për shkak të vonesës. Udhëtarët janë përfshirë nga paniku dhe irritimi dhe janë përplasur me punonjësit e personelit të tragetit, pasi sic thanë, ky rast, dëshmoi se ata kanë arsye të ndihen të pasigurt. 

Disa prej udhëtarëve thonë se 39-vjeçari tentoi të kthehet në traget me not, por nuk ia doli dot dhe pas disa përpjekjeve u zhduk nga sytë. Policia nuk ka dhënë ende një version zyrtar mbi ngjarjen dhe nuk dihet ende nëse 39-vjeçari u vetëhodh, apo u rrëzua në rrethana të paqarta nga trageti. 

Operacioni i kërkimit ka vijuar deri në mbrëmje, por nuk u bë e mundur gjetja e 39-vjeçarit. Pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 09:00 të ditës së djeshme, policia e Durrësit ka shoqëruar disa persona, dëshmitarë okularë, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas bluve, hetimet po zhvillohen në disa pista, atë të vetëvrasjes, vrasjes, apo edhe ngjarjes aksidentale. Sipas burimeve policore, emigranti nuk kishte probleme në vendin e punës apo në familje dhe se shkaku i hedhjes apo rënies në det mbetet shumë i paqartë. Ndërkaq, një prej pasagjerëve në tragetin "Brigde", në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" rrëfeu me detaje ngjarjen. Festim Bekteshi, nga Kavaja, tha se nëse trageti do të pësonte avari, të gjithë pasagjerët do të ishin mbytur në det

Festim, mund të na thoni se si ndodhi ngjarja?

Unë pashë kur emigranti nga Gjirokastra kishte rënë në ujë. U bë alarm në traget nga të gjithë njerëzit që ishim jashtë. E pashë tri-katër herë tek ngjitej mbi dallgë dhe kërkonte ndihmë. Pasagjerët dhanë alarmin se një burrë kishte rënë në ujë. Personat e ekuipazhit i hodhën një kamerdare, por trageti eci me shpejtësi dhe vetëm pas 600 metrash është rikthyer. Ai nuk ka pasur asnjë mundësi që ta kapte kamerdaren. Kur trageti u kthye në vendin ku u pa pasagjeri në ujë, nuk e gjetëm më aty. 

A dolën mjetet dhe ekuipazhi për ndihmë?

Jo, asnjë nuk doli. Asnjë mjet. Unë isha tek pjesa e vinçit dhe e ndoqa me vëmendje të gjithë situatën. Thanë që skafi është i çarë e ka defekt dhe nuk mund të dalë. Barka e shpëtimit nuk kishte karburant. Pasi i hodhën karburant, duhej të vihej në punë vinçi që ta lëshonte në ujë. Por vinçi nuk punonte, siç duket nuk ishte vënë kurrë në punë, prej vitesh. Asnjë gomone, asnjë gjë nuk hodhën në det dhe askush nuk doli për të kërkuar emigrantin. Nëse do të kishin dalë, do ta gjenin. Unë u trondita nga ajo që ndodhi. Nëse do të pësonte avari trageti, ne do të ishim mbytur të gjithë, 600 persona, pasi trageti nuk kishte asnjë mjet që ta vinte në ndihmë në rast rreziku. 

Çfarë bëri kapiteni i tragetit?

Ai erdhi tri-katër herë rreth e rrotull në traget. Asgjë më shumë. Trupi i personit që ra në det nuk u pa më. Kur mbërriti një anije për ta kërkuar, kishin kaluar tri orë nga zhdukja e tij në det. 

/balkanweb/