Durrës, 20 prill 2014 – Krahas besimtarëve të shumtë ortodoksë dhe katolikë që kanë vizituar kishat respektive në këtë ditë Pashke, autoritetet kishtare kanë pritur edhe vizitat e pushtetarëve vendorë dhe politikanëve të të gjithë krahëve të politikës.
Kisha ortodokse e shën Astit dhe shën Palit si dhe ajo e Shën Domenikut janë vizituar paraditen e së dielës nga autoritetet më të larta vendore në Durrës si dhe nga përfaqësuesit e partive politike.
Në mesazhin e tij për besimtarët ortodoksë dhe katolikë të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, kryebashkiaku Vangjush Dako theksoi se paqja, dashuria dhe harmonia duhet të mbizotërojnë në çdo familje shqiptare.
“Në këtë ditë të shënuar dëshiroj t’i shpreh të gjithë besimtarëve të krishterë të Durrësit dhe të gjithë vendit, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e kremtimit të Pashkëve. Gëzuar për shumë vjet festën e Pashkëve, ditën simbol të fitores mbi të keqen dhe Ditën e Ringjalljes. Uroj që në çdo shtëpi të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë të mbretërojë paqja e dashuria, lumturia e harmonia”,- tha kryebashkiaku Dako.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





