Tiranë, 20 prill 2014 – Një mjet shpërthyes është hedhur mesnatën e të shtunës në banesën e një biznesmeni pranë Shkollës Teknologjike në Tiranë. Shpërthimi ka shkaktuar zhurmë dhe dëmtime të lehta në verandën e katit të dytë të banesës 3-katëshe, ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen. Fillimisht u dyshua për një bombol gazi, që kishte shpërthyer në banesën ku në momentin e ngjarjes ndodheshin dy gra, por më pas policia hodhi dyshimet për vendosje eksplozivi.

Sipas “Panorama”, grupi i hetimit ka kryer verifikime shtesë në banesën ku ndodhi shpërthimi dhe ka arritur në përfundimin se në verandën e banesës që i përket një biznesmeni konfeksionesh, është hedhur një mjet shpërthyes nga rruga. Pas vlerësimit të ngjarjes në këtë pistë, grupi i hetimit mësohet se ka marrë dje kontakt me pronarin e shtëpisë ku ndodhi shpërthimi. Ai është marrë në pyetje në komisariat për disa orë. Biznesmeni ka shpjeguar se prej vitesh ka aktivitet në tregtimin e konfeksioneve, kryesisht nga Turqia. Pronari i banesës ku ndodhi shpërthimi, mësohet se ka mohuar para policisë se ka konflikte personale ose për shkak të biznesit. Dyshimet e hetuesve janë se ngjarja mund të jetë një sinjal apo paralajmërim për biznesmenin e konfeksioneve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/