DURRËS, 20 prill 2014 – Si rrallëherë porti më i madh i vendit ka një fluks anijesh që do të transportojnë mallra “Made in Albania” në tregjet e huaja.
Sipas raportit ditor të anijeve të transportit, më 20-25 prill 2014, në portin e Durrësit janë gati për ngarkim 4 anije me 44 400 tonë mallra gjithsej.
Metalurgjiku i Elbasanit, nëpërmjet agjencisë detare Durrës-Kurum po ngarkon anijen Sehnaz Ka me 10 200 tonë prokate.
Ndërkaq në radë është anija Sea Star që do të ngarkojë 5 200 tonë çimento të paketuar, e cila do të pasohet nga anija Amal për 4 mijë tonë të tjerë çimento me thasë, duke e çuar në 9 200 eksportin e “bukës” së ndërtimit për eksport.
Më 25 prill 2014 parashikohet të mbërrijë anija Reis-G, që do të ngarkojë 25 mijë tonë krom.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





