Itali, 19 prill 2014 – Një 14-vjeçare shqiptare ka vënë seriozisht në rrezik jetën e saj në një garë të çmendur për të konsumuar sa më shumë pije alkoolike. Hetimet vazhdojnë ende, pasi karabinierët nuk kanë mundur të marrin në pyetje vajzën e mitur, që ndodhet në gjendje kome. Dyshohet se shqiptarja me banim në qytetin e Bresha-s, në Itali, ka konsumuar shumë alkool në një “garë” me disa djem. Por, loja ka përfunduar shumë keq.
Gjithsesi sipas disa të tjerëve, vajza ka qenë e dehur që në momentin kur ka mbërritur në një festë që po organizohej në një lokal në Vobarno.
Pak para orës 22.00 të së enjtes, 14-vjeçarja ka humbur ekuilibrin duke u rrëzuar përtokë. Dëshmitarët thonë se ajo është zbardhur në fytyrë, ndërkohë që buzët iu kthyen në ngjyrë vjollcë, ndërsa frymëmarrjen e kishte mjaft të rënduar.
Shqiptarja u shtrua me urgjencë në spital dhe ndodhet në repartin e reanimacionit. Në mëngjes parametrat e saj janë stabilizuar disi, por më vonë gjendja është përkeqësuar sërish. Ajo nuk është ende në gjendje që të merret në pyetje nga policia, raporton "Bresciaoggi".
Nëse në bazë të hetimeve do të rezultojë se e mitura ka konsumuar sasi të mëdha alkooli në lokalin ku humbi ndjenjat, pronari i tij rrezikon t’i hiqet licenca dhe të kalohet për ndjekje penale.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





