Skoci, 19 prill 2014 – Një fëmijë 7 vjeçar është spërkatur me benzinë dhe i është vënë flaka në mes të rrugës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Bedford Avenue, Aberdeen, Skoci. I mituri Preston Flores ndodhet i shtruar në spital dhe sipas mjekëve është në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore.

Mësohet se 7-vjeçari është spërkatur me benzinë dhe i është vënë flaka nga disa bashkëmoshatarë të tij. Dëshmitarët kanë parë të terrorizuar sesi një fëmijë i vogël i përfshirë nga flakët vraponte nëpër rrugët e lagjes duke ulëritur.

Një nga të afërmit e vogëlushit thotë për Mirror se asnjëherë nuk ka parë diçka të tillë kaq terrorizuese.

“Flakët i kishin përfshirë të gjithë trupin, ndërkohë që rrobat ishin gjysëm të djegura. Ishte diçka shokuese”,- thotë i afërmi i vogëlushit që ka parë momentin kur fëmija ishte përfshirë nga flakët.

 /agjencia e lajmeve “Dyrrah”/