Tiranë, 19 prill 2014 – Besimtarët ortodoksë dhe katolikë festojnë Pashkët. Imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos u janë drjetuar besimtarëve me nga një urim të veçantë në këtë ditë të rëndësishme të kalendarit të krishterë. Në ditën e ringjalljes së Krishtit ata i kanë uruar besimtarëve të udhëhiqen nga drita, të kenë paqe dhe më shumë mirëkuptim mes tyre.

JANULLATOS: KJO DITË TË NA FUQIZOJË BESIMIN RECIPROK

Në mesazhin e tij të urimit Kryepeshkopi Anastas tha se "Krishti tha: "Kështu le të ndrisë drita juaj para njerëzve që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të falënderojnë atin tuaj në qiell". 

Kjo dritë paskale e tërëbardhë, me të gjitha ngjyrimet e saj, le të na zgjojë gjatë gjithë periudhës së sivjetshme paskale dhe le të udhëheqë, besimtarë dhe besëpakë, në një përpjekje të re, për më shumë mirëkuptim të ndërsjellë, pajtim, vëllazërim dhe ecuri krijuese. 

Uroj me gjithë zemër, të kremtojmë Pashkën me frymë përpjekjeje të ripërtërirë, për një shoqëri solidariteti dhe përgjegjësie të përbashkët. Kjo ditë të na fuqizojë besimin tonë të Krishti të na udhëheqë besim reciprok. Vëllezër e motra Krishti u ngjall! Gëzuar!". 

IMZOT RROK MIRDITA URON BESIMTARËT: FESTOJMË FITOREN E ZOTIT 

Imzot Rrok Mirdita i ka uruar sot besimtarëve katolikë festën e Pashkëve. Duke i ftuar të besojnë tek ngjallja e Krishtit, ai u shpreh se, “Në shoqëritë tona nuk mungojnë dhimbjet, vuajtja e të pafajshmëve, por kujtohuni se i rinjgjalluri thotë sot mos kini frikë”, tha ai. 

“Festojmë sot fitoren e zotit. I themi çdo burri dhe çdo gruaje mos kini frikë. Krishti i ringjallur i mbushtë me shpresë jetët e gjithë secilit”, tha Imzot Rrok Mirdita në mesazhin e tij. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/