DURRËS, 19 prill 2014 – Edhe urgjenca ajrore është “e sëmurë”, madje nuk i del kush për zot “kurimit” të tre helikopterëve të Laprakës, një lajm jo i mirë ky, pasi rrezikohen jetë njerëzore, ndonëse shteti mund të përdorë helikopterët ushtarakë të Farkës apo ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më 14 prill 2014 Njësia e Transportit Mjekësor me Helikopter, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, ka njoftuar anulimin e tenderit për transportin ndërkombëtar të tre helikopterëve (dy të prodhimit francez “Alouette-3” dhe një i prodhimit “BO-105”.
Anulimi ndodhi për shkak se nuk u paraqit asnjë ofertë.
Nuk dihet nëse askush nuk merr përsipër këtë shërbim me një fond rreth 12 mijë dollarë vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit i vitit 2014.
Ky tender ishte njoftuar më 17 mars 2014 dhe do të zhvillohej më 3 prill 2014.
Përveç këtij fondi për transportin e tre helikopterëve, u vë në dispozicion një fond prej 600 mijë dollarësh për riparimin e dy helikopterëve “Alouette-3” me shenjë ZA-XHZ dhe ZA-XHP dhe helikopterit BO-105 me shenjë ZA-XCL.
Por edhe ky tender u anulua pasi nuk u paraqit askush.
Info
Njësia e transportit mjekësor me helikopter është hallkë shumë e rëndësishme, sidomos në situata emergjente, sepse është pikërisht kjo njësi që bën transportimin e të sëmurëve nga të gjitha zonat e vendit drejt spitaleve të kryeqytetit apo edhe jashtë tij, në një kohë rekord.
Helikopterët e urgjencës mjekësore u kanë shpëtuar jetën mijëra pacientëve, pilotët e helikopterëve janë nga më të mirët dhe të vlerësuar lart nga opinioni publik.
Nuk mund të thuhet se ka munguar kujdesi shtetëror për këtë lloj urgjence (Ministri i Shëndetësisë, deputeti i Durrësit Ilir Beqaj – shih foton poshtë – ka vizituar më 2 shkurt 2014 personelin e njësisë së transportit mjekësor me helikopter, duke deklaruar se kishte “vërejtur me kënaqësi gatishmërinë dhe përkushtimin e lartë”).
Por ka probleme teknike, pasi helikopterët janë të vjetër.
Për shembull, 4 helikopterët e prodhimit francez “Alouette-3” i janë dhuruar Shqipërisë qysh në vitin 1995, nga “REGA Suisse”, urgjenca zvicerane, që i kishte në shërbim prej vitesh.
Kurse helikopteri “Bo 105E-4” që hyri në shërbim në Brigadën e Forcave Ajrore Shqiptare në vitin 2006, është prodhim gjerman i “Messerschmitt-Bölkow-Blohm” i vitit 1970.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





