Tiranë, 19 prill 2014– Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një kerkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor në lidhje me akuzat për implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari kriminale “transportin e lëndëve narkotike”. Kërkesa është depozituar sot në Kuvend, nga deputeti Taulant Balla.

Nëpërmjet këtij komisioni kërkohet zbardhja e plotë e motiveve dhe arsyeve, verifikimi i plotë i fakteve dhe provave që provojnë ose përgenjështrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga perfaqesues te lartë politik kundrejt Forcave te Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: “transport i lëndëve narkotike”.

Në kërkesë thuhet se ngritja e këtij komisioni shikohet si një garanci për të provuar ose në të kundërt për të përgënjeshtruar akuzat e ngritura nga përfaqësues të lartë politikë. Nëpërmjet ngritjes së këtij komisioni kërkohet edhe informimi i opinionit publik, për vërtetësinë ose pavërtetësinë e këtyre akuzave.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/