Tiranë, 19 prill 2014 – Partia Demokratike ka dënuar ditën e sotme kërcënimin që sipas selisë blu i është bërë një gazetari të gazetës “Rilindja Demokratike”. Në një deklaratë për mediat zëdhënësia e kësaj partie Silvi Bardhi u shpreh se gazetari Telnis Skuqi ka marrë një sms kërcënuese mëngjesin e sotëm, pasi ka botuar një shkrim investigativ në lidhje me magazinat e drogës dhe rrugët e transportit të saj në Kardhiq të Sarandës. 

Partia Demokratike dënoi shantazhin ndaj shtypit opozitar dhe i kërkoi qeverisë dhe Kryeministrit Rama të marrë masa. 

 

Deklarata e plotë e koordinatores për mediat, Silvi Bardhi

Partia Demokratike dënon kërcënimin e bërë sot ndaj gazetarit të Rilindjes Demokratike, Telnis Skuqi, menjëherë pas botimit të shkrimit investigativ në lidhje me magazinat e drogës dhe rrugët e transportit të saj në Kardhiq të Sarandës.

Gazetari Skuqi ka zbuluar gjithë mekanizmin e grumbullimit të drogës dhe shpërndarjes me mjete të ndryshme transporti duke përfshirë dhe avionët e vegjël.

Gazetari ka lënë një shënim ku thotë se në numrin e nesërm ai do të vijojë me botimin e të tjera fakteve tronditëse.

Publikimi i këtyre të dhënave mesa duket ka prishur qetësinë e personave të përfshirë në këtë trafik të çmendur droge dhe ka prishur rehatinë e shefave politikë të narkotrafikantëve.

“Si shumë të lirë e ke dorën, por ta skuqim mir ne, legen” , këtë mesazh i kanë dërguar gazetarit sot në orën 9 e 8 minuta të mëngjesit. Kërcënuesi ka bërë kujdes të mos lërë gjurmë, duke përdorur metodat e dërgimit të mesazhit përmes internetit.

Partia Demokratike dënon shantazhin ndaj shtypit opozitar dhe i kërkon qeverisë dhe Kryeministrit të marrë masa.

Partia Demokratike inkurajon gazetarët dhe median në rolin e tyre informues dhe qëndron pranë tyre në këto ditë të vështira ku dalin të dhëna se struktura kyçe të shtetit janë përfshirë në trafikun e drogës.

Vetë  trafiku i drogës në këto përmasa, por dhe kërcënimi i gazetarëve që shkruajnë për të, nuk mund të bëhen pa dijeni dhe pa bekimin e Kryeministrit dhe ministrave të tij.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/