Durrës, 19 prill 2014 – Hidhet një person nga trageti i linjës Bari – Durrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.00, në një distancë rreth 12 milje nga bregdeti i Durrësit. Personi i hedhur është 37 vjeçari Gentian Peta, nga Gjirokastra. Mësohet se ai sihte emigrant që jetonte në Gjermani dhe baba i dy fëmijëve.

Trupi i tij nuk është gjetur ende, ndërkohë që kërkimet vijojnë nga ana e Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza-s. Trageti “Bridge” i linjës Bari – Durrës ishte nisur nga porti Italian rreth orës 23.00 të mbrëmjes së kaluar dhe pritej të ankorohej paraditen e sotme në portin më të madh në vend. Trageti ende ndodhet në det të hapur, pasi ekuipazhi i tij u angazhua që në momentet e para pas ngjarjes në kërkimet për gjetjen e personit të hedhur në det. Në traget ndodhen rreth 600 pasagjerë.

Sipas disa prej tyre, që kanë parë momentin kur 37 vjeçari Peta është hedhur, ai nuk është shtyrë nga askush. Ende nuk dihen arsyet që e shtynë 37 vjeçarin të ndërmerrte këtë akt, megjithëse mendohet se Peta mund të jetë vetëhedhur si pasojë e depresionit të shkaktuar nga vështirësitë ekonomike që po kalonte. Mësohet se ai udhëtonte i vetëm në traget. 

Salla operative e portit të Durrësit është njoftuar mëngjesin e sotëm nga ana e personelit të tragetit "Bridge", se një nga pasagjerët ishte hedhur në det. Menjëherë, pasi 37 vjeçari u hodh nga trageti, ekuipazhi i mjetit lundrues hodhi një jelek shpëtimi në det. Forca e detit është 4 ballë dhe ajo e erës është 5 ballë në vendin ku po vijojnë kërkimet.

Pas mëse tre orë kërkimesh në det, Kapiteneria e Portit të Durrësit ka urdhëruar tragetin "Bridge", që të ndërpresë kërkimet dhe të ankorohet në port. Kërkimet për 37 vjeçarin Peta do të bëhen nga dy tragete të tjerë. Mjetet lundruese që po vijojnë kërkimet po operojnë në kushte të vështira si pasojë e motit të keq.

Trageti "Bridge" është ankoruar në kalatë rreth orës 13.20, pas disa orë qëndrimi në det. Pjesa më e madhe e pasagjerëve të tragetit po kthehen në Shqipëri për të festuar Pashkët pranë familjarëve të tyre. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/