Tiranë, 19 prill 2014 – Ish-misi shprehet se është një nënë e betuar për t’iu përkushtuar për gjithë jetën fëmijëve të saj. Fëmijët i bëjnë surprizë te “Kontrata”. Valbona Selimllari, ish-misi i parë shqiptar, një ikonë e vërtetë bukurie edhe sot që është 43 vjeçe, u shfaq këtë të mërkurë në programin “Kontrata” të Sonila Meços në “Agon Channel”, për të thyer heshtjen mbi disa të vërtëta të jetës së saj. Atë që të gjithë e pëshpërisnin nën zë dhe ne gazetarët ia kishim kërkuar me qindra herë që ta ndante me lexuesit tanë, pra faktin që ajo tashmë ishte bërë nënë, ajo jo vetëm që nuk ka pranuar ta bëjë publike me gojën e saj, por ka bërë gjithçka për ta fshehur dhe parandaluar nëse dikush nga ne do ia publikonte.
Ka rreth 13 vite, aq sa mosha e djalit të saj të madh, që në ambientet të ndryshme flitet se Valbona Selimllari tashmë është bërë me fëmijë. E pyetur nga gazetarët, ajo ka refuzuar që këtë lajm ta ndajë me publikun. Gjithkujt i është dukur absurde se si për një lajm të tillë, siç është ardhja në jetë e një fëmije, të harxhosh energji pa fund që ta mbash të fshehtë, aq më tepër kur je një person publik. Madje, absurdi arrinte deri aty, sa në rrethin tonë të gazetarëve të shkruaje për jetën private të Valbona Selimllarit ishte kthyer në një tabu, sepse ajo nuk e do në mënyrë kategorike një gjë të tillë.
Kulmi arriti kur revista “Story” publikoi rreth një vit më parë lajmin që Valbona Selimllari ishte në pritje të fëmijës së saj të tretë dhe ka shkuar në Çeki, aty ku banon e motra, për ta lindur atë. Të nesërmen e hedhjes në treg të revistës, Valbona mblodhi të gjitha revistat nga pikat e shitjes, që lajmi të mos shkonte te lexuesi.Por duket se tashmë diçka ka ndryshuar, pasi edhe ajo vetë kur ne i kërkonim intervistë për jetën e saj private, thoshte që do të vijë momenti për ta bërë këtë. Me sa duket, ky moment ka ardhur, por jo për të rrëfyer çdo gjë.
Sonila Meço, duke iu përmbajtuar strukturës së programit të saj, ku personazhi i ftuar zbërthehet nëpërmjet intervistave të njerëzve më të afërt, me sa duket kishte arritur ta bindte Valbonën që në morinë e informacionit për jetën e saj, të përmendte edhe faktin se është nënë e tre fëmijëve. Gjithçka e thënë në mënyrë shumë spontane dhe të natyrshme, siç duhej në fakt të pohohej një lajm i tillë nga gjithkush, por kjo nuk vlen në rastin e Valbonës, e cila për vite më radhë këtë lajm e kishte mbuluar me mister.
/gazeta “Panorama”/





