Durrës, 19 prill 2014 – Sektori kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme sekuestron një sasi të konsiderueshme lënde plasëse të llojit tritol. Lënda plasëse u sekuestrua gjatë zhvillimit të operacionit policor të koduar «Detonatori». Strukturat policore kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë kishin nisur një hetim njëmujor në ngarkim të disa personave që ushtronin aktivitet kriminal në trafikimin e lëndëve plasëse në rrethin e Krujës.

Gjatë operacionit u bë kapja në flagrancë dhe më pas arrestimi në orën 05.00 të datës 19.04.2014 i shtetasit Dorjan Picorri, 28 vjeç, lindur në Krujë e banues i përkohshëm në Tiranë, të cilit iu kap një sasi e konsiderueshme lënde plasëse e llojit tritol. Disa orë më vonë, u realizua edhe kapja e shtetasit Saimir Ajazi, 34 vjeç, lindur në Krujë e me banim të përkohshëm në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim 3 shtetas të tjerë, me statusin e të dyshuarit si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në cilësinë e provës materiale u gjet e u sekuestrua sasia prej 100 kallëpe tritol, të destinuara për tregun e brendshëm kriminal që operon në qarkun e Durrësit.

Nga hetimet e ndërmarra deri tani rezulton se anëtarët e këtij grupi kriminal dyshohen si autorë të mundshëm edhe të shpërthimit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Stacionin e Policisë Fushë Krujë. Vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtij grupi si dhe implikimin e tyre në ngjarje të ndodhura në Qarkun e Durrësit me përdorim të lëndëve plasëse.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/