Malajzi, 19 prill 2014 Zona e kërkimeve për avionin e zhdukur malajzian është ngushtuar dhe do të hyjë në një “pikë kritike” në dy ditët e ardhshme, deklaroi ministri malajzian i Transporteve. Ministri Hishamudin Hussein deklaroi se një mjet nënujor, që funksionon si dron ajror, do të përfundojë kërkimet në zonë brenda javës së ardhshme.

Mini-nëndetësja “Bluefin 21” deri tani, pas gjashtë misionesh, nuk ka gjetur asgjë. Ministri Hussein tha se kërkimet gjatë së shtunës dhe të dielës do të jenë vendimtare. “Ngushtimi i rrethit të kërkimit për sot dhe nesër ka arritur në një pikë kritike”, tha ai. 

Duke përdorur të dhëna satelitore, autoritetet kanë arritur në përfundimin se avioni e përfundoi udhëtimin e tij kur ndodhej pranë qytetit të Perthit, në perëndim të Australisë, dhe u rrëzua në jug të Oqeanit Indian. Megjithatë, ato nuk e dinë përse avioni fluturoi kaq gjatë jashtë kursit dhe zbulimi i kutive të zeza shihet si çelësi për të zbuluar se çfarë ndodhi. 

Avioni i “Malaysia Airlines” u zhduk nga radarët më 8 mars teksa po fluturonte nga Kuala Lumpuri për në Pekin me 239 persona në bord. 
 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/