Durrës, 19 prill 2014– Teuta do të kërkojë pikë të plota në transfertën e Laçit. Sulmuesi Daniel Xhafaj e ka konsideruar si sfidën më të rëndësishme të sezonit, ndërsa kërkon nga skuadra maksimumin e saj.
“Luajmë përballë kundërshtarit direkt dhe kjo ndeshje duhet konsideruar si finalja e madhe e ‘finaleve’ të mbetura. Rruga drejt Europës kalon nga Laçi, prandaj duhet të japim më të mirën tonë, në mënyrë që të kalojmë me sukses pengesën e radhës. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi skuadrat kanë të njëjtat objektiva. Ne kemi besim te forca e skuadrës dhe kemi bindje se do ta kalojmë me sukses kundërshtarin. Respekt për skuadrën vendëse, por nuk kemi fare frikë. Do të futemi në fushë të bindur se do të dalim të fituar”,- u shpreh sulmuesi para përballjes me Laçin.
Pas fitores me Partizanin, në kampin durrsak është kthyer besimi. Sipas Xhafajt, fitorja ndaj “demave të kuq” i ka ndihmuar bregdetarët shumë nga ana psikologjike.
“Fitorja ndaj Partizanit e ngriti moralisht skuadrën. Besoj se tashmë jemi zhbllokuar dhe e kemi lënë pas ecurinë negative dhe periudhën e tersit. Të gjithë lojtarët kanë ardhur në formën e tyre më të mirë në këtë fundsezoni dhe besojmë se do ta arrijmë me çdo kusht Europën, që është edhe objektivi ynë. Nëse kalojmë me sukses Laçin, më pas situata paraqitet pak më e thjeshtë, megjithëse të gjitha përballjet janë tejet të vështira. E ardhmja e skuadrës sonë varet nga transferta e Laçit, prandaj duhet t’i japim rëndësinë e duhur kësaj përballje”,- thotë Xhafaj.
Më pas, sulmuesi flet edhe për momentin e vështirë që po kalon.
“Kam disa ndeshje që nuk kam arritur të gjej dot rrugën e rrjetës, por jam i sigurt se do ta gjej në këtë përballje, e cila është edhe më e rëndësishmja për skuadrën në këtë sezon”,- përfundon Xhafaj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





