Meksikë, 18 prill 2014 – Një tërmet i fuqishëm ka “shkundur” ndërtesat në kryeqytetin meksikan për më shumë se 30 sekonda, gjë që ka shkaktuar panik masiv në rradhët e popullsisë. Sipas institutit sizmiologjik amerikan, tërmeti ka qenë 7.2 ballë i shkallës Rihter dhe është regjistruar në thellësinë 24 km.
Sipas BBC, epiqendra e tërmetit ka qenë shteti Guerrero, që ndodhet në perëndim të vendit. Lëkundja sizmike është ndjerë shumë e fortë në resortet në zonën turistike të Akapultos. Tërmeti ndodhi rreth orës 07.27 me orën lokale, 14.27 me orën tonë.
Deri tani nuk janë raportuar viktima, por vetëm dëme materiale. Banorët e kryqytetit kanë braktisur shtëpitë e tyre nga frika se lëkundje të tjera mund ta pasojnë tërmetin prej 7.2 ballësh.
Në vitin 1985, një tërmet i ngjashëm shkaktoi vdekjen e rreth 10 mijë personave në kryeqytetin meksikan.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





