DURRËS, 18 prill 2013 –  Pragu i fundjavës me mot gri, shira të buta dhe një të ftohtë dimri, që nuk ndodhin në stinën e vet, sjell në Durrës tri femra ministre.

Jo thjesht për ekskursion apo për pushime.

Janë qeveritare që mbulojnë turizmin, kulturën dhe arsimin dhe që Durrësin e plazhit më të madh e monumenteve spektakolare të nivelit evropian e kanë si një pikëmbështetje në punën e tyre.

Trokitja e stinës verore bëri që të harrohet moti “jomikpritës”, pasi ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantinë Gjermeni dhe pushtetarët vendorë të fashës bregdetare të Adriatikut e kanë mendjen në përballimin e industrisë së dëfrimit.

Ishte përkim i rastit që në mesditë të vinin edhe dy kolege të Gjermenit, ministrja e Kulturës Mirelë Kumbaro dhe ajo e Arsimit dhe Sportit Linditë Nikolla, por ky përkim ishte në “favor” të ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, bashkinë e Durrësit promovuan nismën mbarëkombëtare “Miqtë e Monumenteve” me moton “Mbroj Monumentin”.

Monumentet e Durrësit janë dhe atraksion turistik gjithëvjetor, jo vetëm në kohë plazhi.

Po përmendim se turistët e pasur që vijnë me anije luksoze të tipit krujz (cruise) për shëtitje paralel bregdeteve të Adriatikut dhe Jonit që nga Finlanda, SHBA-ja etj. e prekin Durrësin që në prillin “e hidhur”.

Këtu ata njihen me monumentet e jashtëzakonshme të kulturës që datojnë nga lashtësia, Mesjeta e deri në ditët tona, që prodhojnë dhe valutë të fortë për durrsakët e sotëm.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/