· Projekt për vendosjen e kullave të vrojtimit në 5 plazhe pilote dhe ristrukturim i “Infopoint”-ve të Durrësit dhe Rinasit
DURRËS, 18 prill 2014 – Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantinë Gjermeni mbledh së bashku drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore të brezit bregdetar për t’i njohur me masat e qeverisë për sezonin turistik 2014 dhe nismat e ndërmarra në fushën e planifikimit të territorit.
Me urdhër të Kryeministrit Edi Rama u ngrit task-forca e menaxhimit turistik veror, e cila do të jetë përgjegjëse për ndjekjen dhe zbatimin e masave që do të garantojnë standarde, siguri dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Të gjitha institucionet përgjegjëse për menaxhimin e sezonit turistik veror do të zbatojnë një plan masash të detajuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Gjatë një takimi me përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore të brezit bregdetar në Durrës, më 18 prill 2014, ministrja Eglantinë Gjermeni tha se këto masa kanë nisur të vihen në zbatim me qëllim rritjen e numrit të turistëve përmes cilësisë dhe standardeve të ofruara dhe promovimin e potencialeve që ofron Shqipëria.
Për arritjen e këtyre qëllimeve, ministrja Gjermeni kërkoi edhe bashkëpunimin e vendorëve.
Sipas Gjermenit, plani i masave do të garantojë përmirësimin e standardeve dhe ofrimin e kushteve për pastrim të territorit, boshteve rrugore kombëtare dhe atyre dytësore, rendin, qetësinë publike si dhe sigurinë në ujërat e brendshme, sigurinë rrugore dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe grupeve turistike.
Masat parashikojnë dezinsektimin e zonave bregdetare dhe higjienë maksimale në këto zona.
Këto masa janë të detyrueshme dhe synojnë rritjen e standardeve dhe cilësisë së shërbimit turistik në strukturat “stacione plazhi” dhe mbrojtjen e konsumatorit të këtyre shërbimeve.
Çelja e sezonit turistik do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit duke organizuar veprimtari nxitëse në bashkitë e qyteteve bregdetare.
Gjatë këtij sezoni turistik do të realizohet edhe projekti i vendosjes së kullave të vrojtimit në 5 plazhe pilote dhe do të ristrukturohen “infopoint” të Durrësit dhe Rinasit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





