Durrës, 18 prill 2014 – Fitorja ndaj Partizanit ka ngritur së tepërmi moralin në radhët e durrsakëve, të cilët në përballjen e radhës kërkojnë fitore ndaj Laçit. Kapiteni dhe portieri i Teutës, Bledian Rizvani, deklaron se Europa sigurohet me fitoren në transfertën e Laçit.

“Fitorja ndaj Partizanit dhe loja sulmuese që zhvilluam të dielën ka rritur besimin dhe moralin në skuadër, por edhe në radhët e tifozërisë. Ndaj Partizanit nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër veç fitores. Jam shumë i kënaqur që skuadra reagoi dhe për më tepër në kohën e duhur. Kjo ishte një fitore e merituar plotësisht nga ana e Teutës. Skuadra luajti një ndeshje të madhe dhe me ritëm tejet të lartë. Pas suksesit ndaj Partizanit, tashmë kërkojmë 3 pikët e radhës. Përpara kemi një përballje shumë të vështirë, në transfertë kundër Laçit, ku kërkohet me pa diskutim fitorja. Kjo sfidë është shumë e rëndësishme për Teutën dhe nëse e kalojmë me sukses, atëherë objektivi thuajse është i arritur. Ne kemi vazhduar përgatitjet në kuadër të kësaj ndeshje, ndërkohë kemi besim se do të kthehemi me fitore nga Laçi. Kundërshtari ka të njëjtin objektiv, por potenciali ynë del mbi vendësit. Pas fitores me Partizanin dhe, sikurse deklarova pak orë para sfidës, do t’i dorëzonim fanellat në rastin e një rezultati tjetër, ekipit i është rikthyer besimi dhe nuk i trembemi asnjë kundërshtari. E respektojmë Laçin, por personalisht kam bindje se Teuta do të fitojë”,-u shpreh Rizvani.

Lojtari durrsak është optimist në lidhje me përballjen e radhës dhe arritjen e objektivit. Durrsakët në fillim të sezonit pretendonin dy trofe Kupën e Shqipërisë dhe titullin kampion, ndërsa tashmë vendin e tretë. Megjithatë, Rizvani e komenton kështu:

“Përgjatë këtij sezoni skuadra ka pasur luhatje, prandaj dhe dolëm pa trofe këtë edicion futbollistik. Kur dolëm nga gara për titull, u përqendruam te Kupa, ku gjithashtu dështuam. Tashmë objektivi ynë mbetet vendi i tretë në kampionat. Kemi një rrugë të vështirë përpara dhe duhet të bëjmë të pamundurën. Nuk do t’ia lejonim kurrë vetes të varemi nga Kukësi, që të fitojë kupën. Gjithçka do ta arrijmë me djersën dhe mundin tonë. Ndeshja e radhës do të luhet në Laç ndaj vendësve, përballë të cilëve do të kërkojmë vetëm fitore. Jemi përgatitur mjaftueshëm dhe shkojmë me bindje se do të kthehemi me fitore nga Kurbini. Kanë ngelur vetëm pak javë nga mbyllja e kampionatit dhe në këto momente nuk lejohen hapa të gabuar. Teuta ka si objektiv vendin e tretë dhe ne aktualisht nuk jemi në pozita komode. Pra, alternativa jonë për të arritur synimin është të fitojmë në Laç, ku për hir të së vërtetës nuk do ta kemi të lehtë. Laçi është një skuadër fushe dhe shumëkush mund ta shikojë me skepticizëm fitoren tonë. Por unë u them se nëse paraqitemi sikurse përballë Partizanit, nuk ka skuadër që të na ndalë”,– u shpreh Rizvani.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/